Dalin detajet e plagosjes në Korçë/ 17-vjeçari goditi me thikë një person pas sherrit në lokal. Dyshohet se dy vite më parë 34-vjeçari i vodhi banesën

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar në qytetin e Korçës, ku një konflikt i nisur në ambientet e një lokali ka degraduar në përdorimin e thikës. Një 37-vjeçar ka mbetur i plagosur, pasi është goditur me mjet prerës nga një 17-vjeçar.

Sipas informacioneve paraprake, i plagosuri është shtetasi Benard Qelemi, i cili ka pësuar dëmtime në dorë dhe ndodhet aktualisht në spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se Qelemi ishte kthyer vetëm pak ditë më parë në Shqipëri, pasi prej kohësh jetonte në Greqi.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë një ngjarje e ndodhur rreth dy vite më parë, kur 37-vjeçari dyshohet se i kishte vjedhur banesën familjes së autorit të mitur. Takimi i rastësishëm mes tyre në lokal ka rikthyer përplasjen, e cila fillimisht ka qenë verbale dhe më pas fizike.

Sipas të dhënave, i plagosuri ka qenë ai që ka goditur i pari 17-vjeçarin, ndërsa ky i fundit, në kushtet e përshkallëzimit të konfliktit, ka nxjerrë thikën duke e goditur Qelemin në pjesën e krahut.

Policia njofton se ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të Korçës. Autori i dyshuar, shtetasi P. K., është kapur dhe shoqëruar në ambientet e komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.