Është zbardhur dinamika e plotë e përplasjes me armë zjarri të ndodhur në Rrilë të Lezhës, ku shënjestër dyshohet se ka qenë 21-vjeçari Merando Nikulaj, ndërsa mbeti i plagosur gabimisht pronari i berberhanes, Sokol Daci. Zbardhja e ngjarjes është bërë përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat kanë hedhur dritë mbi lëvizjet e autorëve dhe momentet kyçe të konfliktit.
Sipas burimeve për News24, autorët kishin informacion të saktë për praninë e Nikulajt në berberhane. Ata janë afruar pranë sallonit me dy automjete të ndryshme, ndërsa dy prej tyre, të maskuar me kapuçë dhe të armatosur me shkopa bejsbolli, kanë hyrë brenda në ambientet e berberhanes.
Nga kqyrja e pamjeve filmike, hetuesit kanë ngritur dyshime të forta se i pari që ka qëlluar me armë zjarri ka qenë efektivi i policisë Besart Kovaçi, 24 vjeç, i cili ndodhej brenda në sallon në momentin e ngjarjes. Pas të shtënave të para, autorët e tjerë që qëndronin në automjete jashtë janë kundërpërgjigjur duke qëlluar mbi 30 herë me armë zjarri të llojit kallashnikov në drejtim të berberhanes.
Si pasojë e breshërisë së plumbave, pronari i sallonit, Sokol Daci, ka mbetur i plagosur rëndë, me tre plumba në trup. Po ashtu, dyshohet se është plagosur edhe vetë shënjestra, Merando Nikulaj, i cili mendohet se ka marrë një plagë në këmbë. Për këtë arsye, policia e ka shpallur në kërkim edhe Nikulajn, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri nga brenda berberhanes.
Deri në këtë fazë të hetimeve, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim tre persona të dyshuar si autorë të ngjarjes: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, të akuzuar për tentativë vrasjeje. Në total, katër persona janë në kërkim nga policia lidhur me këtë atentat.
Ndërkohë, me urdhër të Prokurorisë është ndaluar edhe efektivi i policisë Besart Kovaçi, i dyshuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Ai ndodhej në shoqërinë e Merando Nikulajt në momentin e përplasjes me armë.
Sa i përket motiveve të ngjarjes, grupi hetimor dyshon se shkak është bërë një konflikt i mëparshëm mes familjes Ndoka dhe Merando Nikulajt. Ky konflikt daton në muajin mars të vitit 2025, në zonën e Kunes në Shëngjin, ku familjet kanë edhe aktivitete hoteliere. Në atë përplasje, dyshohet se Nikulaj dhe një kushëri i tij kanë përplasur me motor dy të rinj të familjes Ndoka, duke sjellë më pas një sherr fizik ku janë përdorur shkopinj bejsbolli dhe sende të forta.
Policia vijon kontrollet në disa zona ku dyshohet se mund të fshihen personat e shpallur në kërkim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim.