Një detektive private është vënë nën hetim nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se ka tentuar të zbulojë dhe të heqë një pajisje përgjimi të vendosur në banesën e familjarëve të Erjon Llapushit, në qytetin e Pogradecit. Llapushi është i dënuar në mungesë me 17 vite burg për vrasjen e kamerierit Gazment Kurmaku.
Sipas burimeve zyrtare, në hetim është vënë edhe një i afërm i Llapushit, i cili dyshohet se ka kontaktuar detektiven private për të gjetur një përgjues që mendohej se ishte vendosur nga policia në banesën e tij.
Pas kontaktit, detektivja është paraqitur në banesën në Pogradec, ku ka kryer kontrolle me pajisje speciale detektimi për identifikimin e përgjuesve. Për këto veprime, ajo po hetohet për veprën penale “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, ndërsa materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
Raportohet se detektivja nuk ka arritur të identifikojë apo të gjejë pajisjen e përgjimit që dyshohet se ndodhej në ambientet e banesës. Ndërkohë, Policia vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Erjon Llapushi është person me precedentë të theksuar kriminalë dhe ndodhet në kërkim për vrasjen e kamerierit Gazment Kurmaku, ngjarje e ndodhur më 2 tetor 2021. Një vit më parë, forcat RENEA kanë ushtruar kontrolle në banesën e tij në Pogradec, por pa arritur ta lokalizojnë apo arrestojnë.