Skandali i mbetjeve toksike të “Kurum”/ 33 masa sigurie nga Prokuroria, aksion policor për arrestimin e drejtuesve, zyrtarëve dhe biznesmenëve

Prokuroria e Durrësit ka firmosur ditën e sotme 33 masa sigurie në kuadër të hetimeve për skandalin e mbetjeve të rrezikshme të lidhura me kompaninë “Kurum”, duke çuar në një operacion të gjerë policor në disa qytete të vendit.

Burime zyrtare bëjnë me dije se 26 nga masat e sigurisë janë “arrest me burg”, ndërsa 7 të tjera “arrest shtëpie”. Në zbatim të këtyre vendimeve, Policia e Durrësit dhe ajo e Tiranës kanë ndërmarrë një operacion të përbashkët, ku deri në këto momente janë ekzekutuar 22 masa sigurie, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim.

Hetimet lidhen me çështjen e 102 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme që u eksportuan drejt Tajlandës dhe më pas u rikthyen në Shqipëri, pas një sinjalizimi të fortë nga Rrjeti i Bazelit. Prokuroria dyshon se në këtë proces janë shkelur rëndë ligjet për mbrojtjen e mjedisit dhe procedurat doganore, duke përfshirë një zinxhir të gjerë përgjegjësish.

Sipas burimeve, masat e sigurisë janë lëshuar ndaj personave të dyshuar për përfshirje direkte në këtë aferë, mes tyre drejtues të kompanisë “Kurum”, zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Doganave, si edhe biznesmenë. Në masën “arrest shtëpie” është vendosur ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani.

Ndër emrat për të cilët janë firmosur masa “arrest me burg” bëjnë pjesë Harun Sarica, Mirjeta Zotaj, Mikail Hila, Nazif Bajrami, Andon Prifti, Petrit Qosja, Julian Kapedani, Indrit Likaj, Gjovana Sokolaj, Doni Sokolaj, Edmond Voda, Helidon Lila, Shkëlqim Jakupi, Gazmend Sina, Ingo Hesse dhe Dritan Seferaj, si dhe disa persona të tjerë me iniciale, për të cilët hetimet vijojnë. Ndërsa në “arrest shtëpie” janë lënë Evis Mellonashi, Kledina Skëndo dhe persona të tjerë të përfshirë në proces.

Skandali i 102 kontejnerëve me mbetje toksike konsiderohet një nga çështjet më të rënda mjedisore të viteve të fundit, ndërsa Prokuroria paralajmëron se hetimet do të vijojnë për të zbardhur plotësisht rolin dhe përgjegjësitë e çdo personi të përfshirë.