Detaje të forta janë zbuluar në Gjykatën e Posaçme gjatë dëshmisë së Henrik Hoxhajt në kuadër të procesit të njohur si “Plumbi i Artë”. I penduari i drejtësisë ka rrëfyer me hollësi organizimin dhe ekzekutimin e atentatit ndaj Dorjan Shkozës, duke përshkruar rolet e secilit, armët e përdorura dhe pagesën e premtuar për vrasjen.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Henrik Hoxhaj ka deklaruar se është njohur me Nuredin Dumanin në vitin 2020, gjatë ditëlindjes së Festim Qolit. Pas këtij takimi, mes tyre kanë vijuar kontaktet dhe më pas bisedat për atentate të ndryshme. Sipas Hoxhajt, Dumani i ka folur për disa vrasje që do të kryheshin në Durrës, duke i paraqitur fillimisht si porosi të ardhura nga “Krymi” dhe më pas si çështje personale.
Në dëshminë e tij, Hoxhaj ka treguar se atentati ndaj Dorjan Shkozës ishte planifikuar kundrejt një pagese prej 70 mijë eurosh. Ai ka theksuar se armët dhe mjetet ishin siguruar nga Nuredin Dumani, ndërsa shofer i automjetit ishte Elio Bitri. Ngjarja ka ndodhur gjatë periudhës së pandemisë, kur sipas tij lëviznin duke respektuar rregullat e qarkullimit për të mos rënë në sy.
Ditën e atentatit, Hoxhaj ka treguar se u takua me Dumanin në banesën e këtij të fundit në Durrës dhe më pas u nisën me një makinë të zezë. Ai ndodhej në sediljen e pasme, pas shoferit, dhe kishte me vete dy armë zjarri, ndërsa Bitri mbante një tjetër. Sipas rrëfimit, pasi bënë një xhiro pranë një servisi dhe u kthyen sërish, panë Shkozën të shoqëruar nga dy persona të tjerë.
Hoxhaj ka deklaruar se ka qëlluar nga brenda makinës drejt personave në trotuar, por njëra nga armët i është bllokuar, ndaj ka përdorur armën tjetër. Ai ka treguar se Dorjan Shkoza u rrëzua pak më tutje dhe se fillimisht mohoi të ishte personi që po kërkonin, por pas konfirmimit nga shoferi, u qëllua sërish. Sipas tij, edhe Elio Bitri ka qëlluar me armë zjarri.
Pas atentatit, Hoxhaj ka deklaruar se zbriti në zonën e Plepat, ku kishte lënë një makinë tjetër, ndërsa automjeti i përdorur në atentat u largua dhe u dogj në zonën e Bishtit të Zhurit. Ai ka pohuar se Nuredin Dumani ka qenë pas tyre dhe ka ndjekur gjithë ngjarjen, duke i thënë më pas se gjithçka kishte shkuar “shumë mirë”.
Sa i përket pagesës, Hoxhaj ka dëshmuar se shuma prej 70 mijë eurosh u nda mes tij dhe Elios, ku ai mori 35 mijë euro, ndërsa nuk di saktësisht sa i është dhënë Bitrit. Ai ka shtuar se paratë Dumani i merrte nga “Krymi” dhe se pas kësaj vrasjeje ka jetuar normalisht në Tiranë, pa u fshehur.
Dëshmia e Henrik Hoxhajt pritet të ketë peshë të rëndësishme në zbardhjen e plotë të atentatit dhe në hetimet për zinxhirin e porosive kriminale që po shqyrtohen nga drejtësia.