‘Pa Gjurmë’ gjen çiftin e dyshuar për rrëmbimin e Bleona Matës! Nëna sheh mes lotësh foton e vajzës

Rasti i zhdukjes së vogëlushes Bleona Mata vijon të mbetet një nga historitë më të rënda dhe më të dhimbshme për opinionin publik, ndërsa dëshmi dhe informacione të reja kanë hapur së fundmi një pistë tjetër kërkimesh.

Sipas dëshmive të bëra publike pak ditë më parë në emisionin “Pa Gjurmë” në Report TV, vogëlushja dyshohet se është rrëmbyer dhe mbajtur peng për rreth tre muaj në zonën e Llakatundit, në Vlorë. Kjo pistë u forcua nga deklarime të reja dhe materiale të trajtuara ekskluzivisht në emisionin e moderuar nga gazetarja Odeta Dume.

E ftuar në studio, nëna e Bleonës, Bukurie Veizi, u përball me fakte dhe dëshmi të reja mbi zhdukjen e vajzës së saj. Ajo deklaroi se familja që është vënë në qendër të dyshimeve ka pasur konflikt të mëparshëm me familjen Mata, çka sipas saj forcon dyshimet për përfshirje në këtë ngjarje të rëndë.

“Çiftin nga Vlora nuk e njoh. Vetëm prindërit e vajzës i kam takuar në Zapot, ditën kur u zhduk Bleona. Ish-vjehrri im ka pasur konflikt me këtë familje dhe në maj të vitit 2010 i ka denoncuar në polici,” u shpreh ajo.

Një nga momentet më prekëse të emisionit ishte prezantimi i fotografisë së vajzës së çiftit nga Llakatundi i Vlorës, e cila dyshohej se mund të ishte Bleona Mata. Nëna e pa për herë të parë imazhin mes emocionesh të forta, por theksoi se tiparet nuk përputheshin plotësisht, megjithëse dyshimet e saj vazhdonin të mbeteshin tek e njëjta familje.

“Tiparet nuk përputhen, por dyshimet e mia mbeten tek kjo familje,” deklaroi ajo.

Po ashtu, ekskluzivisht në “Pa Gjurmë”, folën për herë të parë publikisht edhe gruaja dhe burri që prej vitesh janë përmendur në këtë pistë hetimi. Ata mohuan kategorikisht çdo përfshirje në rrëmbimin e Bleona Matës, duke dhënë versionin e tyre të ngjarjes.

Gazetarja Odeta Dume sqaroi se pas publikimit të informacionit i kishin mbërritur dhjetëra telefonata dhe email-e nga zona e Picarit, ku flitej për një fëmijë që kishte ardhur në atë fshat vite më parë. Ajo theksoi se emisioni nuk akuzon askënd, por sjell dëshmi që duhet të verifikohen nga autoritetet.

Nga ana e saj, gruaja e akuzuar deklaroi se vajza për të cilën flitej në fshat ishte mbesa e kunatës së saj, e cila ishte martuar në Kosovë dhe më pas kishte emigruar në Greqi, duke mos pasur mundësi ta merrte fëmijën me vete në atë periudhë.

Ky sqarim bëri që pista sipas së cilës Bleona Mata ishte rrëmbyer nga çifti nga Llakatundi i Vlorës të dobësohet ndjeshëm. Megjithatë, nëna e Bleonës kërkoi që hetimet të mos ndalen dhe që çdo detaj të verifikohet nga policia.

“Duhet të nxirret fotoja e mbesës dhe policia duhet t’i marrë në pyetje. Kam ende dyshime tek kjo familje. Më ndihmoni të zbuloj të vërtetën për vajzën time,” u shpreh ajo mes lotësh.

Rasti i Bleona Matës vijon të mbetet i hapur, ndërsa shpresa e nënës për të mësuar të vërtetën për fatin e vajzës së saj mbetet ende e gjallë.