I doli emri në dosjen e Jeffrey Epstein, Atifete Jahjaga thyen heshtjen: “Nuk kam pasur asnjë njohje apo kontakt me të”

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar publikisht pas raportimeve mediatike që lidhën emrin e saj me dosjen e Jeffrey Epstein, të publikuar më 29 janar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Jahjaga ka mohuar kategorikisht çdo insinuatë për lidhje apo kontakt me financierin e ndjerë, duke theksuar se gjatë ushtrimit të detyrës së saj si Presidente e Republikës së Kosovës nuk ka pasur asnjëherë njohje, takim apo komunikim të çfarëdo lloji me Jeffrey Epstein.

Ajo sqaron se emri i saj nuk figuron në asnjë nga dokumentet e publikuara dhe se përmendja e titullit “Presidenti i Kosovës” në një email të palëve të treta nuk përbën provë dhe nuk nënkupton përfshirje personale apo institucionale.

“Raportimet mediatike për ‘lidhjen time’ me dosjen ‘Epstein’ janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë. Emri im askund nuk përmendet në asnjë dokument të publikuar,” shkruan Jahjaga.

Ajo shton se korrespondenca elektronike e përmendur në media i përket palëve të treta dhe nuk dëshmon asnjë takim, kërkesë apo lidhje personale me të. Sipas saj, në email përmendet në mënyrë të paqartë “Presidenti i Kosovës”, pa u specifikuar emër konkret dhe pa pasur ndonjë kërkesë zyrtare për takim.

“Në këtë email të palëve të treta përmendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk përmendet asnjë kërkesë për takim në emër të tij apo të saj. Çdo raportim ndryshe është insinuatë dhe mashtrim i opinionit publik,” thekson ish-presidentja, duke kërkuar që ky sqarim të pasqyrohet nga mediat që kanë përmendur emrin e saj.

Publikimi i dokumenteve të dosjes Epstein ka shkaktuar reagime të forta në mbarë botën, pasi në to përmenden qindra emra të njohur nga politika, biznesi dhe bota publike. Mes tyre, në një nga emailet e publikuara, përmendej edhe mundësia e një takimi në Nju Jork mes Jeffrey Epstein, një princeshe nga Tajlanda dhe “presidentit të Kosovës”.

Megjithatë, dokumenti nuk specifikon emër konkret dhe nuk dëshmon ndonjë organizim apo kërkesë zyrtare për takim. Në periudhën kur është dërguar ky email, detyrën e Presidentes së Kosovës e ushtronte Atifete Jahjaga, fakt që ka nxitur spekulime mediatike, të cilat ajo i ka hedhur poshtë si të pavërteta dhe të pabazuara.