Tensione dhe debate të forta janë shënuar në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila po zhvillohet në këto momente. Burime nga brenda mbledhjes bëjnë me dije se disa deputetë demokratë kanë dalë hapur kundër vendimit për bojkotimin e reformës zgjedhore dhe asaj territoriale, duke kundërshtuar linjën e ndjekur deri tani nga drejtuesit e partisë.
Mes deputetëve që kanë shprehur rezervat e tyre dhe kanë kërkuar pjesëmarrjen e PD-së në komisionet përkatëse janë Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu, Bledi Himçi, Enno Bozdo, Luan Baçi dhe Arjan Ndoja. Sipas burimeve, ata kanë argumentuar se përfshirja në proceset e reformës është e domosdoshme për të mbrojtur interesat e opozitës dhe për të mos ia lënë vendimmarrjen tërësisht mazhorancës.
Përballë kundërshtimeve, kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili po drejton mbledhjen, është tërhequr nga një vendim i prerë, duke deklaruar se çështja e bojkotimit të reformave do të vendoset përfundimisht nga Kryesia e Partisë Demokratike. Ky qëndrim ka lënë të hapur diskutimin dhe ka konfirmuar përçarjet e brendshme brenda grupit parlamentar.
Kujtohet se gjatë ditës së sotme, opozita vendosi të braktisë sërish mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale. Pas këtij vendimi, mazhoranca reagoi duke kërkuar ndryshimin e përbërjes së komisionit. Nga 16 anëtarë me ndarje të barabartë, 8 nga PD dhe 8 nga PS, numri pritet të rritet në 17, me një anëtar më shumë nga radhët e mazhorancës.
Po ashtu, sipas kërkesës së Partisë Socialiste, komisioni nuk do të drejtohet më me bashkëkryetarë, por me një kryetar nga PS dhe një nënkryetar që do t’i përkasë Partisë Demokratike, duke ndryshuar ndjeshëm balancat dhe mënyrën e drejtimit të këtij procesi.