Atentati në Rrilë të Lezhës/ Ndalohet me urdhër të Prokurorisë polici që iu kundërpërgjigj autorëve me armë

Zhvillime të reja nga atentati i ndodhur në Rrilë të Lezhës. Me urdhër të Prokurorisë është ndaluar një punonjës policie me iniciale B.K., i cili akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Burime zyrtare bëjnë me dije se efektivi ka qenë i pranishëm brenda berberhanes ku ndodhej 21-vjeçari Merando Nikulaj, i cili dyshohet se ishte shënjestra e atentatit. Gjatë sulmit me armë zjarri, polici ka reaguar duke iu kundërpërgjigjur autorëve me armën e shërbimit.

Deri në këto momente, 21-vjeçari Merando Nikulaj nuk është shoqëruar ende nga autoritetet për t’u marrë në pyetje. Policia po ushtron kontrolle të shumta në disa biznese dhe banesa në zonën e Lezhës, me qëllim lokalizimin dhe shoqërimin e tij për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, ka dyshime të forta se Nikulaj mund të jetë plagosur gjatë atentatit. Në pamjet e kamerave të sigurisë, ai shihet teksa largohet nga vendngjarja duke ecur me vështirësi, çka ka shtuar dyshimet për një plagosje të mundshme.

Hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit vijojnë, ndërsa policia dhe prokuroria po analizojnë të gjitha provat, përfshirë pamjet filmike dhe deklarimet e personave që ndodheshin në vendin e ngjarjes.