Atentati ndaj Merando Nikulaj në Lezhë/ Berberi u plagos gabimisht, shpallen në kërkim 4 persona

Pasditen e sotme Policia e Shtetit ka njoftuar se janë shpallur në kërkim katër persona të dyshuar si autorët e atentatit të mbrëmjes së djeshme në Rrilë të Lezhës. Sipas policisë, të dyshuarit janë shtetasit G. N., E. N., K. N. dhe M. N.

Ngjarja ndodhi në një berberhanë në zonën e Rrilës, ku atentati ndaj nipit të Nikulajve, 20-vjeçarit Merando Nikulaj, dështoi pasi shënjestra u ngatërrua. Plumbat goditën gabimisht berberin,  Sokol Daci, i cili ndodhet aktualisht në gjendje kritike në spital, duke u qëlluar me katër plumba, ndërsa dyshohet se edhe Merando Nikulaj është plagosur dhe po merr trajtim mjekësor në një klinikë private.

Pas hetimeve paraprake, me urdhër të Prokurorisë është ndaluar edhe një efektiv policie, Besart Kovaçi, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gjatë atentatit, polici iu kundërpërgjigj autorëve me armën e shërbimit, e cila kishte 15 fishekë, ndërsa në pistoletë ishin gjetur 5 të tjerë, duke ngritur dyshime se ka qëlluar 10 herë. Hetimet po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e përdorimit të një arme të tretë.

Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me hakmarrjen ndaj familjes Nikulaj, pasi Merando është i afërm me biznesmenin Ardian Nikulaj, i vrarë më 19 prill në Shëngjin.

Policia po vijon kontrollet dhe kërkimet intensive për të lokalizuar të shpallurit në kërkim dhe për të sqaruar plotësisht rrethanat e atentatit që tronditi zonën e Rrilës.