Epstein me sytë nga Tirana? Ish-kryeministri i Norvegjisë i shkruante nga Shqipëria: “Ka vajza të jashtëzakonshme”

Dosjet e publikuara së fundmi mbi Jeffrey Epstein vijojnë të nxjerrin në dritë emra të njohur politikanësh dhe figura të fuqishme ndërkombëtare, si edhe komunikime që hedhin dritë mbi lëvizjet, interesat dhe rrjetin e gjerë të kontakteve të financierit të akuzuar për abuzime seksuale. Mes miliona email-eve të deklasifikuara, për herë të parë përmendet edhe Shqipëria.

Në një email të datës 25 maj 2012, ish-kryeministri i Norvegjisë dhe njëherazi ish-Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjørn Jagland, i shkruan Jeffrey Epstein pas një vizite në Tiranë. Në mesazh, Jagland përmend kryeqytetin shqiptar duke u shprehur se kishte parë “vajza të jashtëzakonshme”.

“Përshëndetje Jeffrey. Kam qenë në Tiranë (Shqipëri), vajza të jashtëzakonshme. Do të shkoj në Jordani, Palestinë dhe Izrael. Kthehem të enjten”, shkruan Jagland në email-in drejtuar Epstein.

Në kohën e këtij komunikimi, Jagland mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës dhe ishte i angazhuar drejtpërdrejt në Shqipëri për zgjidhjen e krizës politike të nisur pas ngjarjeve të janarit 2011 dhe zgjedhjeve lokale të po atij viti. Sipas të dhënave, email-i është dërguar vetëm një ditë pas vizitës së tij zyrtare në Tiranë, ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, përfshirë edhe kryeministrin e asaj kohe, Sali Berisha.

Edhe pse në mesazh nuk përmenden takime apo detaje konkrete që lidhen me veprimtari të tjera, përfshirja e Shqipërisë në këto komunikime ngre pikëpyetje dhe tregon se Tirana nuk ka qenë jashtë vëmendjes së Jeffrey Epstein dhe rrethit të tij të ngushtë.

Në dosjet e publikuara rezultojnë edhe shkëmbime të tjera mes Jagland dhe Epstein, ku përmendet edhe planifikimi i mundshëm i një vizite në ishullin famëkeq të financierit në Karaibe, i njohur tashmë si qendër e abuzimeve seksuale që ai ka kryer për vite me radhë.

Publikimi i këtyre dokumenteve po sjell reagime të forta ndërkombëtare, ndërsa autoritetet dhe opinioni publik vijojnë të kërkojnë transparencë të plotë mbi lidhjet e Epstein me figura politike dhe institucionale në mbarë botën.