Vrau 9-vjeçarin në vitin 1997 sepse i ati nuk i tregoi ku fshihej vrasësi i vëllait, arrestohet në Greqi 59-vjeçari Kostandin Nishku

Një 59-vjeçar shqiptar, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një fëmije 9-vjeçar në vitin 1997, është arrestuar në Greqi pas vitesh në arrati. Bëhet fjalë për Kostandin Nishku, i njohur edhe me identitetet Baki Duzha dhe H. V., i lindur në Gramsh, i cili fshihej nga autoritetet duke përdorur një identitet shqiptar të falsifikuar.

Arrestimi është realizuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Policisë së Shtetit, Interpol Tiranës, Interpol Athinës, Oficerit Ndërlidhës të Policisë shqiptare në Athinë dhe strukturave të specializuara për identifikimin biometrik dhe krahasimin e fytyrës. Verifikimet dhe shkëmbimi intensiv i informacionit ndër vite kanë çuar në lokalizimin dhe kapjen e tij me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Sipas Policisë së Shtetit, 59-vjeçari ishte dënuar në vitin 1998 me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta”. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në muajin mars, 1997, kur shtetasi Kostandin Nishku alias Baki Duzha alias H. V. dhe shtetasi R. K., kanë shkuar të armatosur, në shtëpinë e shtetasit K. B., dhe kanë kërkuar vëllanë e këtij të fundit, shtetasin V. B., i cili ishte arratisur nga IEVP ku vuante dënimin për vrasjen e vëllait të shtetasit Kostandin Nishku në vitin 1993. Pasi shtetasi K. B. dhe familjarët e tij nuk i janë përgjigjur kërkesës së 59-vjeçarit, mbi vendndodhjen e shtetasit V. B., shtetasi Kostandin Nishku alias Baki Duzha alias H. V. ka vrarë me armë zjarri, djalin 9 vjeç të shtetasit K. B..

Identifikimi i tij është bërë i mundur përmes krahasimit të fotografive të vitit 1997 me ato të pasaportës false të siguruar në vitin 2013, duke konfirmuar përfundimisht identitetin e të kërkuarit.

Autoritetet bëjnë me dije se bashkëpunimi ndërmjet strukturave homologe të INTERPOL-it po vijon për të përmbyllur procedurat ligjore të ekstradimit të 59-vjeçarit në Shqipëri, ku ai do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.