Dokumente të reja të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë kanë hedhur dritë mbi komunikime dhe pretendime tronditëse që përfshijnë disa nga emrat më të fuqishëm të botës së biznesit dhe teknologjisë, në lidhje me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein. Dosja e re përfshin email-e, shënime dhe pretendime të pazbuluara më parë, të cilat po shkaktojnë reagime të forta ndërkombëtare.
Sipas dokumenteve, Elon Musk ka shkëmbyer email-e me Jeffrey Epstein në fund të vitit 2013, ku diskutonin mundësinë e një vizite në ishullin e tij në Karaibe. Më 13 dhjetor 2013, Musk i shkruan Epstein se do të ndodhej në zonën e Ishujve të Virgjër Britanikë dhe St. Bart gjatë festave dhe e pyet nëse kishte një kohë të përshtatshme për ta vizituar. Epstein i përgjigjet disa ditë më vonë duke sugjeruar fillimin e vitit të ri dhe duke shtuar frazën “Gjithmonë ka hapësirë për ty”. Në një tjetër email, Epstein shkruan se datat 2 ose 3 janar do të ishin ideale dhe se do të shkonte vetë ta merrte.
Nga komunikimi rezulton se Musk fillimisht kishte planifikuar të kthehej në Los Angeles më 2 janar, por më pas shprehet se mund ta shtynte largimin një ditë më vonë, duke e pyetur drejtpërdrejt Epstein se kur duhet të shkonin në ishull. Megjithatë, nga email-et e publikuara nuk është e qartë nëse vizita u realizua përfundimisht. Ato tregojnë, gjithsesi, një nivel komunikimi mes dyshes që bie ndesh me deklaratat e mëvonshme publike të Musk, i cili kishte pohuar se kishte refuzuar ftesat e Epstein për të vizituar ishujt e tij, përfshirë Little St. James, i njohur më pas si epiqendër e abuzimeve seksuale.
Në një tjetër pjesë tejet të rëndë të dosjes, dokumentet përmbajnë email-e të brendshme të Epstein, ku ai pretendon se Bill Gates kishte pasur marrëdhënie me vajza ruse dhe si pasojë kishte marrë një sëmundje seksualisht të transmetueshme. Në një mesazh të gjatë të datës 18 korrik 2013, Epstein shkruan se Gates i kishte kërkuar ndihmë për të siguruar antibiotikë, me qëllim që t’ia jepte fshehurazi bashkëshortes së tij të atëhershme, Melinda Gates. Në të njëjtin email, Epstein shprehet i zemëruar për prishjen e marrëdhënieve me Gates, duke përmendur detaje personale dhe duke e akuzuar për përpjekje për të fshirë komunikime komprometuese.
Po në këtë paketë dokumentesh përfshihen edhe shkrime që duken si drafte letrash të atribuuara ish-këshilltarit kryesor të Gates, Boris Nikolic, ku përshkruhen konflikte të rënda personale dhe morale, si dhe përfshirja në veprime që ai i cilëson si të papërshtatshme etikisht dhe potencialisht të paligjshme. Pretendimet përfshijnë kërkesa për sigurim ilaçesh dhe ndërhyrje në çështje personale, por këto akuza nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Publikimi i këtyre dokumenteve vjen në kuadër të një vale të re dosjesh të nxjerra nga Departamenti i Drejtësisë, që përfshijnë qindra mijëra faqe materiale të lidhura me Jeffrey Epstein dhe rrjetin e tij të kontakteve. Zbulimet po rihapin debatin mbi marrëdhëniet e elitave globale me financierin e dënuar për krime seksuale dhe po shtojnë presionin publik për transparencë të plotë mbi përmbajtjen e dosjeve Epstein.