Alarm për qumështin formulë për foshnja/ Produkti me baktere të rrezikshme u shpërnda edhe në Shqipëri, 276 kuti në treg

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të qumështit formulë për foshnja “APTAMIL 1 PRONUTRA 800 gram Advanced”, pas një alarmi të lëshuar nga Sistemi Evropian i Sigurisë Ushqimore (RASFF). Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të kryera në Gjermani është konstatuar prania e substancës “cereulide”, një toksinë e rrezikshme që mund të shkaktojë helmim ushqimor, me simptoma si të vjella dhe dhimbje barku, duke përbërë rrezik serioz sidomos për foshnjat.

Produkti i kontaminuar përdoret për ushqimin e foshnjave nga 0 deri në 2 vjeç dhe mban datën e skadencës 10 nëntor 2026. Autoritetet theksojnë se ky qumësht nuk duhet në asnjë mënyrë të konsumohet, pasi mund të sjellë pasoja të rënda për shëndetin e fëmijëve. Alarmi fillimisht është dhënë në disa vende të Evropës dhe më pas ka mbërritur edhe në Shqipëri, ku produkti është futur përmes operatorit të biznesit ushqimor Rossman Lala.

Në total, në Shqipëri janë importuar 648 njësi të këtij qumështi formulë, nga të cilat 276 kuti janë shpërndarë në tregun vendas, ndërsa 372 njësi janë eksportuar në Kosovë. Sipas AKU-së, shpërndarja në Shqipëri ka ndodhur në disa qytete, përfshirë Tiranën, Durrësin, Fierin dhe Shkodrën, ndërsa inspektorët janë angazhuar në terren për tërheqjen e menjëhershme të produktit nga pikat e shitjes dhe asgjësimin e tij.

“Jemi njoftuar nga sistemi evropian për një produkt qumësht formulë Aptamil Advance Pronutra 800 gram me datë skadence 10-11-2026. Produkti është importuar nga Rossman Lala dhe është shpërndarë në disa qarqe të vendit. Inspektorët tanë kanë qenë në terren për tërheqjen e tij nga tregu me qëllim asgjësimin”, njofton Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

APTAMIL është një nga markat më të shitura të qumështit formulë në treg, ndërsa bakteret e tipit Bacillus cereus, që prodhojnë toksinën cereulide, nuk shfaqen për herë të parë në qumështin formulë. Më herët, raste të ngjashme janë konstatuar edhe te produkte të kompanisë Nestlé, të tregtuara po ashtu në rrjetin Rossman Lala.

AKU u bën thirrje të gjithë prindërve dhe konsumatorëve që, nëse e kanë blerë këtë produkt, të mos e përdorin në asnjë rrethanë dhe ta kthejnë menjëherë në pikat e shitjes ku është blerë, për të shmangur çdo rrezik për shëndetin e foshnjave.