Tragjedia që shokoi Europën/ 7 tifozë të PAOK-ut humbën jetën, mes tyre dy shqiptarë, mediat rumune: “Shoferi ishte i droguar!”

Detaje tronditëse vijojnë të dalin në dritë nga aksidenti fatal që i mori jetën 7 tifozëve të PAOK-ut, mes tyre edhe dy shqiptarë, ngjarje që ka tronditur opinionin publik në Greqi dhe më gjerë.

Sipas mediave rumune, hetimet paraprake kanë zbuluar prova alarmante brenda minibusit që transportonte tifozët. Raportohet se në mjet janë gjetur substanca të ndaluara, alkool dhe pije energjike, ndërsa analizat toksikologjike kanë konfirmuar se shoferi 29-vjeçar kishte konsumuar drogë, përfshirë kanabis, para aksidentit fatal.

Një prej të mbijetuarve, pasagjer në sediljen e përparme, ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se shoferi kishte pirë cigare me kanabis pak para përplasjes. Po sipas burimeve mediatike, analizat e kryera në Institutin Kombëtar të Mjekësisë Ligjore kanë rezultuar pozitive për substanca narkotike.

Autoritetet po hetojnë gjithashtu nëse edhe ndonjë nga pasagjerët kishte konsumuar lëndë narkotike përpara nisjes.

Minibusi, ku udhëtonin 10 persona, u përplas kokë më kokë me një kamion, pasi kaloi në korsinë e kundërt gjatë një parakalimi. Pamjet filmike të aksidentit kanë ngritur dyshime serioze te hetuesit, pasi shoferi nuk ka kryer asnjë manovër shmangëse, element që forcon dyshimet për drejtim mjeti nën ndikimin e drogës.

Një tjetër detaj i përmendur nga një i mbijetuar është se gjatë parakalimit u aktivizua sistemi automatik i mbajtjes së korsisë, duke bllokuar timonin. Megjithatë, ekspertët e qarkullimit e konsiderojnë të pamundur që ky sistem të ketë qenë shkaku kryesor i aksidentit dhe po analizojnë me kujdes pamjet.

Nga ana tjetër, shoferi i kamionit, një shtetas polak me 34 vite përvojë dhe mbi 1 milion kilometra të përshkuara, ka deklaruar se nuk kishte parë kurrë një situatë të tillë në karrierën e tij.

Hetuesit po shqyrtojnë njëkohësisht gabimet njerëzore dhe defektet e mundshme teknike që mund të kenë kontribuar në këtë tragjedi.

Tifozët e PAOK-ut po udhëtonin nga Greqia drejt Lyonit, Francë, për të ndjekur ndeshjen e skuadrës së tyre, një udhëtim që për fat të keq u shndërrua në një nga aksidentet më të rënda të viteve të fundit.