Një konflikt i dhunshëm i ndodhur në orët e para të mëngjesit në Sarandë ka përfunduar me plagosjen e dy personave dhe ndërhyrjen e menjëhershme të policisë. Ngjarja është regjistruar në lagjen “Baba Rexhep”, ku disa shtetas janë përfshirë në një përplasje për motive të dobëta.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së informacionit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u arrestuan shtetasit M. H., 24 vjeç dhe Xh. S., 27 vjeç, ndërsa shtetasi F. Gj. është identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Nga hetimet paraprake dyshohet se A. Gj., M. H. dhe Xh. S. kanë shkuar në banesën e shtetasit B. Q., ku kanë ushtruar dhunë duke përdorur sende të forta dhe mjet prerës ndaj E. Q., B. Q. dhe A. Q. Si pasojë e konfliktit, dy persona kanë mbetur të plagosur, por sipas autoriteteve shëndetësore ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia po vijon punën për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.