Dhimitër Meci, shqiptari i akuzuar nga autoritetet greke si vrasës me pagesë, është plagosur me thikë këtë të enjte në Burgun e Malandrinos në Greqi. Ngjarja ka ndodhur pak pas transferimit të tij nga burgu i Koridhalos, në momentin kur ende nuk ishte sistemuar në repartin ku do të vuante dënimin.
Sipas mediave greke, 45-vjeçari nga fshati Labovë e Kryqit në Gjirokastër është sulmuar nga një shtetas grek, i dënuar për përfshirje në një organizatë kriminale, i cili punonte në mensën e burgut. Dyshohet se autori ka përdorur një thikë të improvizuar, të siguruar brenda ambienteve të institucionit.
Meci ka pësuar plagë të rënda, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Autoritetet penitenciare kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sulmit dhe për mënyrën se si autori ka arritur të sigurojë mjetin prerës.
Dhimitër Meci, i njohur edhe me emrat Dhimo Meci apo “Dimos”, u arrestua në fillim të dhjetorit 2025 nga autoritetet greke, si pjesë e një hetimi për krime të rënda dhe vrasje me pagesë. Pas arrestimit të tij, policia shqiptare ushtroi kontrolle në banesën e tij në Shqipëri, ku u sekuestruan tre armë zjarri automatike, rreth 200 fishekë kallashnikovi, fishekë pistolete dhe krehra.
Sipas raportimeve në Greqi, Meci konsiderohet një figurë kyçe e botës së krimit dhe cilësohet si “pistoleta” e mafies greke. Transferimi i tij në Burgun e Malandrinos ishte vendosur për arsye sigurie, por sulmi i ndodhur ka ngritur pikëpyetje serioze mbi masat e sigurisë brenda burgjeve greke.