Jurgen Karaj, 30-vjeçari pasagjer në makinën që ra në përroin e fshatit Dars më 10 janar, vijon të jetë i zhdukur edhe pas 20 ditësh kërkimesh intensive. Operacionet po vijojnë në lumin Mat me angazhim maksimal ndërinstitucional, ku marrin pjesë polumbarë, forcat speciale RENEA, ushtria dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ndërsa për herë të parë janë angazhuar edhe 11 forca speciale nga Kosova, të dërguara pas autorizimit të Presidentes Vjosa Osmani.
Aksidenti ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit të 10 janarit, kur një makinë tip “Audi” me targa angleze doli nga rruga dhe ra në përroin e fshatit Dars. Shoferi i automjetit, Andi Losha, 24 vjeç, u arrestua menjëherë pasi dyshohet se drejtonte në gjendje të dehur dhe nuk i dha ndihmë pasagjerit. Sipas policisë, rrjedha e përroit dyshohet se ka marrë Jurgenin, i cili nuk është gjetur ende.
Autoritetet shqiptare po vazhdojnë hetimet për rrethanat e aksidentit dhe operacioni kërkim-shpëtues është intensifikuar në përpjekje për të gjetur të riun. Presidentja Osmani ka theksuar gatishmërinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës për ndihmë ndërkombëtare dhe bashkëpunim vëllazëror, duke shtuar se specialët nga Kosova po punojnë paralelisht me kolegët shqiptarë për të sjellë një rezultat pozitiv për familjen e Jurgen Karaj.
Operacioni pritet të vazhdojë ditët në vijim, me shpresën e gjetjes së të zhdukurit.