Një aksident i rëndë është shënuar pak momente më parë në urën e Spatharit, në aksin rrugor Shkodër–Vau i Dejës, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në ujë.
Sipas informacioneve paraprake, në automjet ndodheshin tre persona, të cilët kanë arritur të dalin vetë nga mjeti menjëherë pas rënies në lumë. Ata kanë qëndruar për disa minuta poshtë urës, duke u mbajtur pas mbajtëseve plastike, deri në mbërritjen e ndihmës.
Në ndihmë të tyre kanë shkuar kalimtarë të rastit, si edhe efektivë të policisë, të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e tyre nga lumi. Të tre personat janë transportuar në Spitalin Rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore.
Raportohet se dy prej tyre ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa personi i tretë ka pësuar dëmtime më serioze dhe po merr trajtim të specializuar mjekësor.
Policia dhe shërbimet zjarrfikëse ndodhen ende në vendngjarje, ndërsa po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.