Parkimi dysh të çon në burg, shpifja “falet” për gazetarët: Kuvendi miraton ndryshime të forta në Kodin Penal

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 85 vota pro dhe 9 kundër një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin Penal, të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, median, ndërtimet pa leje dhe krimet mjedisore. Ndryshimet vijnë ndërsa Kodi i ri Penal është ende në proces konsultimi dhe synojnë, sipas mazhorancës, përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

Një nga risitë më të diskutuara lidhet me parkimin dysh, i cili deri më tani ndëshkohej vetëm me gjobë. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të reja, bllokimi i qarkullimit duke ndaluar mjetin në mes të rrugës do të konsiderohet vepër penale, e dënueshme deri në 1 vit burg, me përjashtim të biçikletave dhe motomjeteve.

Ndryshime të rëndësishme janë miratuar edhe për shpifjen, e cila tashmë dënohet vetëm me gjobë. Ligji i ri parashikon që gazetarët të përjashtohen nga përgjegjësia penale për shpifje, me kusht që të jenë të regjistruar sipas ligjit dhe të kenë bërë përpjekje reale për verifikimin e informacionit para publikimit, si dhe të korrigjojnë ose fshijnë lajmin në rast ankesash. Ky përjashtim ka hapur debat mbi përcaktimin ligjor se kush konsiderohet gazetar.

Në të njëjtën kohë, Kuvendi ka forcuar mbrojtjen ligjore për gazetarët, duke parashikuar dënime më të ashpra për këdo që i dhunon apo i kërcënon për shkak të profesionit. Goditja ndaj një gazetari gjatë ushtrimit të detyrës dënohet deri në 5 vite burg, ndërsa kanosja deri në 3 vite burg.

Paketa e re ligjore ashpërson ndjeshëm edhe ndëshkimet për ndërtimet pa leje dhe zënien e tokës. Për ndërtimet e paligjshme, veçanërisht në zonat e mbrojtura, rriten dënimet për zyrtarët publikë të përfshirë, të cilëve u hiqet edhe e drejta për të ushtruar funksione publike deri në 5 vite. Ndërsa për zënien e tokës, dënimet variojnë nga 6 muaj deri në 6 vite burg, në varësi të shkeljes.

Një kapitull më vete përfshin zjarrvënien, ku dënimet bëhen edhe më të rënda, sidomos gjatë periudhave të verës ose në zona të mbrojtura. Në rastet më të rënda, dënimi shkon deri në 15 vite burg, ndërsa kur zjarri vihet për të ndryshuar destinacionin e tokës, ndalohet ndryshimi i klasifikimit të saj për 30 vite.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu masa të reja kundër terrorizmit, trafikimit të qenieve njerëzore, abuzimit seksual të të miturve dhe mashtrimit me fondet e Bashkimit Evropian, ku për rastet me vlera mbi 50 mijë euro parashikohen dënime deri në 10 vite burg.

Sipas mazhorancës, këto ndryshime synojnë forcimin e rendit publik dhe përafrimin e Kodit Penal shqiptar me legjislacionin evropian, ndërsa kritikat janë përqendruar te ashpërsia e disa masave, veçanërisht kriminalizimi i parkimit dysh dhe kriteret për përjashtimin e gazetarëve nga përgjegjësia penale.