Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë një sërë ndryshimesh në drejtimin e institucioneve shtetërore, mes të cilave edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Genti Gazheli është liruar nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave dhe është emëruar zëvendësministër i Mjedisit, duke mbyllur një mandat gati 6-vjeçar në krye të këtij institucioni kyç për financat publike.
Drejtimi i Doganave do t’i kalojë Besmir Bejas, i cili deri më tani mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave. Ndërkohë, në vend të tij, Këshilli i Ministrave ka emëruar Gentian Kerrin si Sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave.
Në një njoftim zyrtar, Agjencia për Media dhe Informim bën me dije se:
- Genti Gazheli lirohet nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave dhe emërohet Zëvendësministër i Mjedisit;
- Besmir Beja emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Doganave;
- Gentian Kerri emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave.
Genti Gazheli ka një karrierë të gjatë në administratën publike, financa dhe diplomaci. Ai e ka nisur rrugëtimin profesional në vitin 1997 në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, fillimisht si inspektor dhe më pas si përgjegjës sektori, detyrë që e mbajti deri në vitin 2005. Pas një periudhe dyvjeçare në sektorin privat, nga viti 2007 deri në 2013 ai shërbeu si Krye-Financier i Partisë Socialiste.
Në vitin 2013 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave, duke përfaqësuar Shqipërinë në forume të rëndësishme ndërkombëtare si OECD, FATF, MoneyVal dhe Grupi Egmont. Më pas, në vitin 2016, Gazheli u emërua Ambasador i Shqipërisë në Turqi dhe ambasador jo-rezident në disa shtete të tjera.
Në prill të vitit 2020 ai mori detyrën e Administratorit të Albpetrol sh.a., ndërsa më 1 tetor 2020 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Doganave, post që e mbajti deri në vendimin e fundit të qeverisë.