Fund çmimeve abuzive në bregdet! Qeveria “vulos” shezlonget, bashkitë caktojnë tavanin e pagesave dhe kontrollojnë zhurmën në plazhe

Qeveria ka ndërhyrë zyrtarisht për t’i dhënë fund abuzimeve me çmimet e çadrave dhe shezlongeve në bregdetin shqiptar, duke miratuar një vendim të ri të Këshillit të Ministrave që synon të mbrojë pushuesit gjatë sezonit veror.

Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama, bashkitë do të jenë tashmë autoriteti që përcakton çmimet tavan për çdo stacion plazhi. Çmimet maksimale do të vendosen në bazë të zonës bregdetare dhe standardit të shërbimit të ofruar, duke i dhënë fund vendosjes arbitrare të tarifave nga subjektet private.

Vendimi parashikon që çmimet tavan të miratohen në fillim të çdo sezoni veror, dhe çdo operator privat do të jetë i detyruar t’i respektojë ato. Shkeljet do të ndëshkohen me gjoba, deri në heqjen e së drejtës për të administruar plazhin në rastet e përsëritura të abuzimit.

Një tjetër risi e rëndësishme është krijimi i plazheve publike me pagesë të kontrolluar, të menaxhuara drejtpërdrejt nga bashkitë. Në këto zona ndalohet kontraktimi apo delegimi i menaxhimit tek subjektet private, duke garantuar akses të barabartë dhe çmime të përballueshme për të gjithë qytetarët.

Vendimi prek edhe një nga shqetësimet më të mëdha të pushuesve: zhurmën nga lokalet dhe beach-baret. VKM-ja detyron qeverinë dhe pushtetin vendor të hartojnë një plan të posaçëm për përcaktimin e kufijve të lejuar të zhurmës në zonat bregdetare, me qëllim ruajtjen e qetësisë dhe standardeve turistike.

Me këtë paketë masash, qeveria synon të vendosë rregull, transparencë dhe kontroll në administrimin e plazheve, duke e bërë bregdetin shqiptar më të aksesueshëm, më të qetë dhe më miqësor për pushuesit vendas dhe të huaj.