Zbardhet dëshmia e Mikel Ndojit pas plagosjes me thikë të vajzës dhe një kalimtari: “Shkova për të biseduar, por më shtyu. M’u errësuan sytë”

Është zbardhur dëshmia e 56-vjeçarit Mikel Ndoj, i arrestuar pasi paraditen e djeshme në Durrës plagosi me thikë vajzën e tij 24-vjeçare, Xhesika Ndoj, si edhe një kalimtar që ndërhyri për ta ndihmuar.

Gjatë deklarimit para hetuesve, Ndoj ka shprehur pendesë për ngjarjen e rëndë, duke pohuar se ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit. Sipas tij, konflikti kishte si shkak tentativën për t’u ribashkuar me familjen pas gjashtë vitesh ndarje, një kërkesë që ishte refuzuar nga e bija.

56-vjeçari ka deklaruar se kishte shkuar në vendin e punës së vajzës, pasi ajo nuk po i përgjigjej telefonatave, me qëllim që të bisedonte me të. Ai pretendon se vajza reagoi ashpër dhe e shtyu, çka sipas tij çoi në një moment humbjeje kontrolli.

“Shkova për t’i thënë se doja të flisnim, por më tha se nuk donte të kishte më asnjë lidhje me mua. Në atë moment m’u errësuan sytë. I kërkova të dilnim jashtë për të biseduar, por ajo më shtyu. Nuk mbaj mend më çfarë ndodhi më pas”, ka deklaruar Ndoj.

Ai ka pranuar se gjatë incidentit u plagos edhe një shtetas tjetër, i cili kishte ndërhyrë për ta ndaluar. Pas ngjarjes, Ndoj është larguar dhe është fshehur pranë repartit të zjarrfikëses, ku sipas tij ka kuptuar seriozitetin e asaj që kishte ndodhur.

“Kam qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Jam penduar thellësisht. I kërkoj falje vajzës sime dhe djalit që u plagos, të cilin nuk e njihja fare”, ka deklaruar ai.

Vajza e tij dhe kalimtari i plagosur ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Durrësit, e cila po vijon hetimet për veprat penale të mbetura në tentativë.