Ana Dajko, e cila përfitoi mandatin e deputetes pas përplasjeve brenda “Nismës Shqipëria Bëhet”, rezulton të jetë një nga deputetet më të pasura të Parlamentit të Shqipërisë. Ajo doli nga listat e partisë së drejtuar nga Adriatik Lapaj, kushëriri i saj, duke marrë mandatin pas konfliktit politik mes Lapajt dhe Endri Shabanit.
Sipas deklaratës së pasurisë pranë ILDKPKI, Ana Dajko zotëron një pasuri të konsiderueshme, ku një pjesë e madhe buron nga aksionet në shoqërinë tregtare “Dajko–Koçi SHPK”, të cilat i ka në bashkëpronësi me bashkëshortin, Spiro Dajko.
Vetëm në emër të saj, Dajko ka deklaruar:
- rreth 394 mijë euro,
- 24.4 milionë lekë (rreth 253 mijë euro),
- 126 mijë dollarë amerikanë (rreth 107 mijë euro),
të shpërndara në 16 llogari bankare, depozita, fonde investimi dhe kursime cash. Ajo zotëron gjithashtu disa apartamente, ndërtesa, toka bujqësore, ullishte dhe pemëtore.
Ndërkohë, pasuria e përbashkët familjare me bashkëshortin vlerësohet në rreth 1.19 milionë euro. Sipas të dhënave të deklaruara, përfshihen:
- 3 apartamente dhe 1 ndërtesë (në bashkëpronësi),
- 2 automjete,
- aksione në shoqërinë “Dajko–Koçi SHPK” me vlerë 330 mijë euro,
- depozita bankare shumëemërore me vlerë mbi 284 mijë euro,
- fonde investimi mbi 111 mijë euro,
- llogari bankare të shumta në euro, dollarë dhe lekë.
Vlera totale e pasurive të deklaruara nga Ana Dajko dhe bashkëshorti i saj kap shifrën e mbi 1.5 milionë eurove, duke e renditur atë ndër deputetët me pasurinë më të lartë në Kuvend.
Kujtojmë se Ana Dajko është nëna e Vasil Dajkos, anëtar i kryesisë së “Lëvizjes Shqipëria Bëhet”, dhe kushërirë e drejtpërdrejtë e Adriatik Lapajt. Ajo ka kryer arsimin e mesëm dhe deklarohet si e vetëpunësuar.