Arrestimi i djalit të Artan Hoxhës për llogari të Kosovës, gazetari i shqetësuar: “Si mund të përfshihet në krim të organizuar një fëmijë 13-vjeç?“

Djali i gazetarit të njohur Artan Hoxha, Geri Hoxha, u arrestua të hënën, më 19 janar, në Tiranë, në kuadër të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar me kërkesë të UNMIK, për llogari të autoriteteve në Kosovë. Ai dyshohet për përfshirje në krim të organizuar, konkretisht në trafikim të qenieve njerëzore.

Së bashku me Gerin, në kërkim është shpallur edhe një person tjetër. Lidhur me këtë çështje, Artan Hoxha ka reaguar ekskluzivisht për “Klan Kosova”, duke shprehur shqetësim dhe duke deklaruar se nuk është informuar ende zyrtarisht mbi akuzat konkrete ndaj djalit të tij.

Gazetari thekson se në periudhën kur pretendohet se janë kryer veprat penale, Geri Hoxha ka qenë vetëm 13 vjeç, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi bazën ligjore të akuzave.

“Është e pakuptueshme si mund të përfshihet një fëmijë në një grup të strukturuar kriminal. Nuk kam parë ende asnjë dokument zyrtar. Kam frikë se po më bëhet një padrejtësi”, deklaroi Hoxha.

Sipas tij, autoritetet kosovare kanë paraqitur një kërkesë për ekstradim, por deri më tani nuk i është dorëzuar asnjë dosje apo dokumentacion shoqërues. “Më është thënë se dokumentet do t’u përcillen autoriteteve shqiptare”, shtoi ai.

Artan Hoxha bëri me dije gjithashtu se në momentin e arrestimit, djali i tij ishte duke shkuar në punë, pasi aktualisht punon si laborant dentar.

“Në xhep kishte vetëm 10 mijë lekë. Bashkë me të u arrestua edhe një shofer ambulance. Nuk arrij të kuptoj se si lidhet kjo me krimin e organizuar”, u shpreh gazetari.

Ai ngriti shqetësime edhe për kushtet dhe trajtimin e djalit të tij në ambientet e paraburgimit, duke theksuar se deri tani nuk ka mundur ta takojë dhe se është i frikësuar për sigurinë e tij.