Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e së hënës tre banesa në lagjen “Loni Dhamo” në qytetin e Lushnjes.
Banesat e përfshira nga flakët ndodhen pranë nënstacionit elektrik të qytetit, çka ka shtuar rrezikun dhe ka detyruar ndërhyrje të menjëhershme nga shërbimet e emergjencës. Menjëherë pas shfaqjes së flakëve, banorët kanë njoftuar zjarrfikëset, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje me disa mjete, të shoqëruara edhe nga dhjetëra efektivë policie.
Fatmirësisht, banorët kanë arritur të dalin në kohë nga banesat dhe nuk raportohet për persona të lënduar. Megjithatë, një vajzë e re është transportuar me ambulancë drejt spitalit, pasi është ndjerë keq si pasojë e tymit të dendur.
Forcat zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e plotë të flakëve dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në banesa të tjera përreth. Si pasojë e zjarrit, dy banesa janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa një tjetër ka pësuar dëmtime të pjesshme.
Sipas shefit të zjarrfikësve të Lushnjes, dyshimet paraprake flasin për një zjarr aksidental, ndërsa shkaqet e sakta do të përcaktohen pas ekspertizës përkatëse.
