Veliaj drejt lirisë? Kushtetuesja “hap rrugën”: Ankesa e kryebashkiakut kalon në seancë plenare

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar lirimin nga qelia ku ndodhet prej afro një viti. Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka vendosur këtë të premte kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh.

Veliaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, duke argumentuar se ajo është joproporcionale në raport me akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Vendimi i Kushtetueses për ta kaluar çështjen në seancë plenare konsiderohet një hap procedural i rëndësishëm, i cili hap rrugën për shqyrtimin në themel të kërkesës së kryebashkiakut.

Kujtojmë se Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 me urdhër të SPAK, nën akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Ndërkohë, edhe ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, rëndojnë disa akuza penale, mes tyre korrupsion pasiv, fshehje të të ardhurave dhe pastrim të produkteve të veprës penale.