Një ngjarje e rëndë familjare është regjistruar paraditen e sotme në qytetin e Durrësit, ku një 56-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka plagosur me thikë vajzën e tij 24-vjeçare.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Durrësit, shtetasi M. N., banues në Durrës, u arrestua pas kontrolleve intensive të kryera nga specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00, në lagjen nr. 12 të qytetit, ku 56-vjeçari dyshohet se ka sulmuar me thikë vajzën e tij në ambient publik, pranë vendit të saj të punës, për motive të dobëta. Gjatë incidentit, është plagosur edhe një shtetas tjetër, O. M., i cili ka ndërhyrë për të ndaluar autorin. Mësohet se 56-vjeçari ishte i ndarë nga nëna e vajzës për shkak të dhunës ne familje dhe ishte larguar ne Itali, ku dhe kishte qenë në burg.
Të dy të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital, ku po marrin ndihmën mjekësore të nevojshme dhe, sipas mjekëve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, për veprat penale: “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, “Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.