Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës së një infermiereje është shënuar këtë të hënë në aksin Kabash–Poroçan, pranë fshatit Bardhaj, në bashkinë Gramsh.
Viktima është identifikuar si Dëshira Hoxha, 43 vjeçe, infermiere që shërbente në disa fshatra të zonës. Ajo kishte përfunduar orarin e punës dhe po kthehej drejt qytetit të Gramshit me një mjet rasti, konkretisht një kamion, i cili për arsye ende të paqarta ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në humnerë.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe drejtuesi i mjetit, Shaban Kotori, 38 vjeç, si dhe Albana Boja, mësuese në shkollën e fshatit. Burime bëjnë me dije se edhe mësuesja kishte përfunduar mësimin dhe po kthehej në Gramsh me të njëjtin mjet.
Të plagosurit janë transportuar fillimisht në spitalin e Gramshit, ndërsa mësuesja Albana Boja është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Sipas mjekëve, ata ndodhen nën kujdes mjekësor.
Policia e Shtetit konfirmon se infermierja Dëshira Hoxha ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga aksidenti.
“Në aksin rrugor ‘Gramsh–Porocan’, kamioni me drejtues shtetasin Sh. K., 38 vjeç, ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar drejtuesi i kamionit dhe pasagjerja A. B., të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore, ndërsa ka humbur jetën shtetasja D. H., 43 vjeçe, pasagjere në kamion”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti tragjik.