“Jam i dyti pas Donald Trump që flet këtu”/Rama në Knesset-in izraelit: “Xhelati në Gaza është Hamasi, duhet të çarmatoset për paqe të qëndrueshme”

Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në parlamentin izraelit, Knesset, ku u ndal te zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe qëndrimi zyrtar i Shqipërisë ndaj konfliktit Izrael–Hamas.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se është lideri i dytë botëror, pas presidentit amerikan Donald Trump, që i drejtohet Knesset-it, duke e cilësuar këtë si një moment domethënës për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Në deklaratat e tij, kryeministri ishte i prerë në lidhje me përgjegjësinë për dhunën në Gaza. “Xhelati është Hamasi dhe askush tjetër”, u shpreh Rama, duke e cilësuar Hamasin si një organizatë terroriste që, sipas tij, dëmton jo vetëm Izraelin, por edhe vetë popullin palestinez.

Rama theksoi se ideologjia e Hamasit përfaqëson një dogmë totalitare dhe ekstremiste, e papajtueshme me paqen dhe bashkëjetesën. Sipas tij, çdo përpjekje për stabilitet në rajon është e destinuar të dështojë pa çarmatosjen dhe çmontimin e plotë të kësaj organizate.

“Derisa Hamasi të çarmatoset dhe të çmontohet, asnjë paqe nuk do të zgjasë dhe nuk mund të arrihet”, deklaroi kryeministri, duke nënvizuar se siguria dhe paqja e qëndrueshme në Lindjen e Mesme kërkojnë përballje të drejtpërdrejtë me terrorizmin.