Policia e Gjirokastrës ka arrestuar 39-vjeçarin Klement Kursa, me origjinë nga Dibra dhe banues në Gjirokastër, i cili dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një të mitur 12-vjeçare.
Mësohet se e mitura është vajza e bashkëjetueses së të arrestuarit. Rasti është zbuluar nga strukturat e Policisë së Gjirokastrës përmes veprimeve hulumtuese, ndërkohë që deri në këtë fazë nuk ka një kallëzim zyrtar nga e mitura apo nga nëna e saj.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër po vijojnë veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Klement Kursa ishte arrestuar edhe pesë ditë më parë gjatë një operacioni blic të Policisë së Dibrës dhe asaj të Gjirokastrës, pasi së bashku me vëllanë e tij binjak dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e Artur Lleshit, babait të së miturës. Motivacion mendohet të ketë qenë marrëdhënia e tij me nënën e 12-vjeçares.
Gjatë kontrollit të banesës së tyre në Gjirokastër, më 18 janar, policia sekuestroi 3 armë zjarri (dy kallashnikovë dhe një pushkë), një armë të ftohtë, municion luftarak, tre krehëra, një maskë dhe tre aparate celularë.
Megjithatë, Gjykata e Gjirokastrës e kishte lënë të lirë Klement Kursën gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë. Ai u arrestua sërish ditën e sotme, këtë herë për dyshimet mbi abuzimin seksual ndaj vajzës së mitur të bashkëjetueses së tij.
Sipas burimeve policore, Klement Kursa dhe vëllai i tij binjak dyshohet se janë larguar nga Dibra për shkak të një hasmërie gjaku dhe janë strehuar në qytetin e Gjirokastrës.