“Në Foltore ka njerëz që na bëjnë për të qeshur”, djali i Sokol Olldashit kritika të forta Berishës

Glauk Olldashi, djali i ish-ministrit dhe deputetit të ndjerë demokrat Sokol Olldashi, ka dalë hapur me kritika të forta ndaj mënyrës se si po organizohen dhe zhvillohen “Foltoret” e Partisë Demokratike, duke i adresuar drejtpërdrejt shqetësimet e tij kryedemokratit Sali Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Olldashi u shpreh se në “Foltore” po flasin persona që, sipas tij, nuk janë të denjë për përfaqësim publik dhe që me gafat e tyre dëmtojnë imazhin e opozitës, veçanërisht të brezit të ri.

“Ka njerëz atje që edhe u merret goja kur flasin, nuk janë të denjë. Ata që dalin e flasin po bëjnë faj edhe ndaj nesh, sidomos ndaj nesh të rinjve që kemi karrierën dhe jetën përpara. Imazhi publik na dëmton më shumë ne sesa ju”, u shpreh Olldashi.

Ai theksoi se prania e këtyre figurave jo serioze e kthen Foltoren në objekt talljeje dhe i detyron demokratët të “ulin kokën” në publik.

Më tej, Glauk Olldashi propozoi një qasje krejt tjetër për organizimin e Foltoreve, duke sugjeruar protesta tematike dhe të fokusuara në problematika konkrete.

“Mendimi im është që çdo të hënë të bëjmë Foltore specifike: një për arsimin, një për shëndetësinë, bujqësinë, naftëtarët, minatorët e me radhë. Të mbledhim ekspertët dhe të flasin ata, jo të shohim ca fytyra që na bëjnë për të qeshur dhe na detyrojnë të ulim kokën. Të mos themi vetëm ‘Rama është problemi’, por të tregojmë konkretisht se cili është problemi i shqiptarëve”, tha ai.

Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi duke mirëkuptuar shqetësimet e Olldashit, por theksoi se qëllimi i Foltores është tjetër.

“Foltorja nuk synon masivitet apo protestë. Qëllimi i saj është mikrofoni dhe zëri kundër qeverisë, nga deputetë dhe qytetarë. Është një hapësirë ku flasin qytetarë, të rinj dhe njerëz nga formime të ndryshme”, u shpreh Berisha.

Deklaratat e Glauk Olldashit kanë ngjallur reagime të forta brenda radhëve të demokratëve, duke rikthyer debatin për përfaqësimin, seriozitetin dhe strategjinë e opozitës në raport me publikun.