Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme ka diskutuar dhe miratuar ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal, në një mbledhje të zhvilluar pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët ndodhen në terren për përgatitjet e protestës së së shtunës.
Një nga ndryshimet më të debatueshme lidhet me parkimin në rresht të dytë, i cili deri më tani ndëshkohej me gjobë administrative, por tashmë pritet të klasifikohet si vepër penale e dënueshme me burg.
Relatori i ndryshimeve, deputeti socialist Ervin Hoxha, argumentoi ashpërsimin e masave penale me nevojën për rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Sipas tij, parkimi në rresht të dytë pengon qarkullimin e mjeteve emergjente, shkakton bllokime totale të rrugëve dhe krijon rrezik serioz për këmbësorët.
“Synimi është forcimi i efektit parandalues të ligjit penal, respektimi i hapësirave publike të qarkullimit dhe krijimi i një kuadri ligjor të qartë që i lejon institucioneve të ndërhyjnë shpejt në situata emergjente,” u shpreh Hoxha gjatë diskutimeve.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me dekriminalizimin e shpifjes, si dhe rritjen e mbrojtjes ligjore për gazetarët. Sipas draftit, çdo sulm, kërcënim apo intimidim ndaj një gazetari gjatë ushtrimit të detyrës do të trajtohet njësoj si dhuna ndaj një punonjësi shteti.
Ervin Hoxha theksoi se dënimi për goditjen e një gazetari në detyrë do të variojë nga 1 deri në 5 vite burg, duke synuar rritjen e sigurisë fizike dhe ligjore të medias.
Gjatë së njëjtës mbledhje, u miratuan edhe ndryshime në ligjin për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se këto ndryshime synojnë krijimin e një sistemi të ri elektronik për kontrollin dhe parandalimin e trafikut të paligjshëm të armëve.
Sipas tij, sistemi i ri do të forcojë monitorimin dhe do të rrisë transparencën në qarkullimin e armëve, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.