Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë pranë Komisariatit të Policisë nr.3 në Tiranë, ku dy motra dhunuan një efektive policie.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se dy të arrestuarat janë motra me njëra-tjetrën dhe se konflikti ka nisur për një arsye krejtësisht banale. Efektivja e policisë, me detyrë agjente krimesh, ka qenë e veshur civile dhe pa uniformë, ndërsa po kalonte rrugën për t’u futur në ambientet e komisariatit.
Në të njëjtin moment, motrat po lëviznin me automjet dhe, sipas burimeve, kanë nisur ta ofendojnë efektiven duke i kërkuar llogari pse nuk “shikonte kur kalonin rrugën”. Konflikti verbal ka vijuar edhe pas këtij momenti, pasi motrat kanë parkuar automjetin dhe i kanë zënë pritë efektives pak metra para hyrjes së komisariatit.
Mësohet se policja i ka paralajmëruar se është punonjëse e policisë dhe u ka kërkuar të ndalonin, por ajo nuk është besuar nga motrat.
“O qorre, nuk sheh ti kur kalojmë ne? Kë gënjen ti?”, mësohet se i janë drejtuar ato efektives.
Fillimisht përplasja ka qenë vetëm verbale, por më pas situata ka agravuar në dhunë fizike ndaj punonjëses së policisë. Ngjarja është vënë nën kontroll vetëm pas ndërhyrjes së menjëhershme të efektivëve të tjerë të Komisariatit nr.3, të cilët kanë neutralizuar situatën dhe kanë arrestuar dy motrat.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.