Automjetet luksoze të sekuestruara nga bosët e krimit të organizuar po përdoren tashmë nga institucionet shtetërore, pas administrimit nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK).
Mes mjeteve që janë vënë në funksion të institucioneve publike është edhe “flota” e ish-bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur pa gjurmë që prej gushtit të vitit 2022. Disa prej automjeteve të tij luksoze janë vënë në dispozicion të një bashkie të vogël, e cila i përdor për nevoja institucionale.
Sipas AAPSK-së, aktualisht janë nën administrim 190 pasuri të luajtshme, përfshirë automjete, motomjete dhe mjete lundruese. Vetëm gjatë vitit 2025, 45 mjete janë dhuruar institucioneve shtetërore, 32 të tjera administrohen me qira për përdorim institucional, ndërsa 11 automjete janë kaluar në përdorim të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK. Në total, gjatë vitit 2025 janë trajtuar 88 mjete përmes formave të ndryshme të administrimit.
Kujtohet se në shkurt të vitit 2023, SPAK sekuestroi 34 pasuri të Ervis Martinajt, me një vlerë që kapte miliona euro. Mes mjeteve të konfiskuara ishin automjete luksoze si Land Rover Discovery, Mercedes-Benz GLK 350, BMW M550, si edhe Smart Passion dhe Fiat Fiesta.
Pavarësisht konfiskimeve, fati i Ervis Martinajt mbetet ende mister. Zyrtarisht, ai rezulton i zhdukur që prej datës 10 gusht 2022. Familjarët e tij kanë bërë kallëzim në Policinë e Lezhës në të njëjtën ditë, ndërsa më pas kanë dorëzuar pranë autoriteteve pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat u gjetën prej tyre.
Hetimet për zbardhjen e zhdukjes së ish-bosit të kumarit vijojnë, ndërsa pasuritë e tij tashmë janë kthyer në shërbim të institucioneve shtetërore.