Ekzekutimi i ndërtuesit në Tiranë/ VIDEO: Polici dyshohet se fshehu predhën e plumbit në vendngjarje, pamjet filmike zbulojnë veprime të rënda

Detaje të rënda dalin nga dosja hetimore nr. 7559 që lidhet me vrasjen e biznesmenit të ndërtimit Eduart Reçi, i ekzekutuar në Tiranë më 13 nëntor 2024. Dy pamje filmike të administruara në dosje tregojnë veprime të dyshimta të një punonjësi policie në vendngjarje, ku dyshohet se është ndërhyrë në provat materiale të krimit.

 

View this post on Instagram

 

Në pamjet video, shihet qartë silueta e një oficeri policie, i identifikuar më pas me inicialet Z.B., i cili në një moment merr nga trotuari një send të vogël metalik, që dyshohet se është predha e plumbit që i mori jetën biznesmenit Reçi. Oficeri, i veshur me xhup dhe kapuç, fillimisht e lëviz sendin me këmbë, më pas e merr me dorë, e pastron dhe e fut në xhepin e xhupit.

Menjëherë pas këtij veprimi, sipas pamjeve filmike, i njëjti punonjës policie bashkohet me kolegët, duke simuluar kërkimin e predhës në të njëjtin trotuar, përmes ndriçimit të elektrikëve dhe telefonave celularë.

Pamjet, të siguruara ekskluzivisht nga gazetari Elton Qyno, tregojnë se rreth 40 minuta pas vrasjes së Eduart Reçit, një grup prej të paktën tetë oficerësh të Drejtorisë së Policisë Tiranë kryejnë këqyrje në zonën përpara shkallëve të biznesit “Botime Pegi”, ku policia kishte bindjen se ndodhej këndi i qitjes. Megjithatë, vendngjarja rezulton e parrethuar, ndërsa në zonë hyjnë dhe dalin persona të shumtë, duke kompromentuar rëndë provat.

Sipas dosjes hetimore, për sendin e vogël metalik të marrë nga trotuari nuk është mbajtur asnjë proces-verbal, ndërsa vetë oficeri nuk ka njoftuar kolegët për gjetjen e tij. Pas kësaj, ai largohet nga vendngjarja, ndërsa kërkimet vazhdojnë pa rezultat.

Distanca mes vendit ku u qëllua viktima dhe zonës ku dyshohet se u gjet predha është rreth 4–5 metra.

Policia ka kryer një këqyrje të dytë të terrenit më 14 nëntor 2024, por jo në të njëjtin vend. Në këtë kontroll, që zgjati më pak se 10 minuta, u pretendua se u gjet një send metalik shumë i vogël, i ngjashëm me një gozhdë, i cili u dërgua për ekspertim laboratorik. Sipas ekspertizës, objekti nuk kishte gjurmë gjaku apo inde biologjike, duke hedhur dyshime serioze mbi vlefshmërinë e provës.

Në lidhje me këtë çështje, policia dhe Prokuroria e Tiranës urdhëruan arrestimin e dy vëllezërve Florjan Dukaj dhe Shkëlqim Dukaj, ky i fundit oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit nr. 2 në Tiranë. Të dy kanë mohuar vazhdimisht autorësinë e vrasjes së komshiut të tyre, Eduart Reçi.

Gjithashtu, vëllezërit Dukaj kanë depozituar tetë kallëzime penale në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës, ku pretendojnë se një grup oficerësh policie kanë manipuluar dhe asgjësuar prova kyçe në vendin e ngjarjes.

Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa pamjet filmike kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin e procesit hetimor dhe mënyrën e administrimit të provave në një nga ngjarjet më të rënda kriminale të fundit.