Blerina Gjylameti ka marrë zyrtarisht detyrën si Drejtoreshë e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Ajo u prezantua sot para ekipit drejtues të institucionit nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Gjylameti u emërua një ditë më parë në krye të AKU-së, ndërsa sot ish-deputetja e Partisë Socialiste mori zyrtarisht drejtimin e institucionit përgjegjës për sigurinë ushqimore në vend.
Gjatë prezantimit, ministri Salla theksoi rëndësinë e drejtimit dhe menaxhimit efikas të AKU-së, duke vënë theksin te roli kyç që luan siguria ushqimore në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. “Ndamë me ekipin drejtues rëndësinë e menaxhimit efikas të punës dhe vëmendjen e shtuar ndaj sigurisë ushqimore, e cila mbetet një prioritet kombëtar dhe një shtyllë thelbësore e procesit tonë të integrimit në Bashkimin Evropian,” u shpreh ai.
Ministri nënvizoi se AKU do të vijojë të forcojë rolin e tij institucional në funksion të qytetarëve dhe biznesit, duke garantuar ushqim të sigurt dhe cilësor. “AKU do të vijojë të forcojë besimin e publikut përmes kontrolleve të bazuara në risk dhe rritjes së profesionalizmit të inspektimeve, në shërbim të konsumatorëve dhe biznesit,” deklaroi Salla.
Në përfundim, ministri falënderoi drejtuesin e mëparshëm të institucionit për kontributin e dhënë, ndërsa i uroi suksese Blerina Gjylametit në detyrën e re si Drejtoreshë e Përgjithshme e AKU-së.