Alarm për sigurinë ushqimore/ AKU tërheq nga tregu qumështin formulë për foshnjat “NAN 1 OPTIPRO”, shkak prania e bakterit të rrezikshëm

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit “NAN 1 OPTIPRO”, qumësht formulë për foshnjat, pas konstatimit të pranisë së bakterit cereulide, një substancë potencialisht e rrezikshme për shëndetin.

Sipas njoftimit zyrtar, pas kryerjes së kontrolleve dhe procedurave të gjurmueshmërisë, AKU ka bllokuar të gjithë sasinë e produktit që ndodhej në magazina, si edhe atë që është kthyer nga tregu. Produkti do t’i nënshtrohet asgjësimit ose rikthimit në vendin e origjinës, sipas procedurave ligjore në fuqi.

AKU sqaron se njoftimi për tërheqjen e lotit të qumështit formulë për foshnja “NAN 1 OPTIPRO” 800 gram është bërë nga subjekti importues në Shqipëri, pas një komunikimi zyrtar nga kompania prodhuese “Nestlé”. Masa është marrë si veprim parandalues, pasi prania e bakterit cereulide është konstatuar gjatë procesit të prodhimit në Holandë.

Autoriteti bën me dije gjithashtu se nga verifikimet në terren është konstatuar se supermarketet ku është tregtuar ky produkt kanë afishuar njoftime për informimin e konsumatorëve, në përputhje me kërkesat ligjore.

AKU u bën thirrje prindërve që të mos e përdorin këtë produkt dhe, nëse e kanë blerë, ta kthejnë pranë pikave të shitjes, duke garantuar se situata po monitorohet nga afër për të garantuar sigurinë ushqimore dhe shëndetin e foshnjave.