Kryeministri Edi Rama ka mbërritur mbrëmjen e sotme në qytetin e Vlorës, ku pritet të zhvillojë një takim me Ivanka Trump, vajzën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Ivanka Trump ndodhet në Vlorë në kuadër të investimit që ajo dhe bashkëshorti Jared Kushner do të bëjnë në ishullin e Sazanit: një resort turistik luksoz.
Sipas Top Channel, vizita po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, me prani të forcave policore dhe protokolle të veçanta përgjatë itinerarit të kryeministrit.
Burime bëjnë me dije se pak më herët në Vlorë ka mbërritur edhe një tjetër delegacion, ku dyshohet se ndodhet një përfaqësues i lartë i SHBA-së, çka ka shtuar interesin dhe nivelin e sigurisë gjatë kësaj vizite.
Detaje të tjera mbi axhendën dhe përmbajtjen e takimit pritet të bëhen publike në vijim.