Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur sot vendimin për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e rëndë e ndodhur më 27 gusht 2019 në Tiranë.
Sipas vendimit të trupës gjykuese, Leonard Duka është dënuar me 30 vite burg, si një nga personat kryesorë të përfshirë në organizimin e vrasjes. Ndërkohë, Fatmir Hyseni, i njohur me nofkën “Doça”, si dhe Aleksandër Manxhaku, janë dënuar secili me nga 25 vite burg.
Po me 25 vite burg është dënuar edhe Oltian Loga, ndërsa për këtë çështje më herët janë shpallur fajtorë dhe dënuar edhe Blendi Teta dhe Ilir Selmani.
Nga ana tjetër, GJKKO ka vendosur pafajësinë e Erlis Dukës për vrasjen e Santiago Malkos, si dhe për të gjitha episodet e tjera të armëmbajtjes pa leje. Trupa gjykuese ka urdhëruar gjithashtu heqjen e masës së sigurisë, duke e liruar atë plotësisht nga akuzat.
Motivi dhe sfondi i ngjarjes
Santiago Malko u ekzekutua në gusht të vitit 2019, në një atentat që sipas hetimeve lidhej me konfliktin e ashpër mes grupeve kriminale rivale. Sipas dosjes së prokurorisë, grupi kriminal kishte si objektiv fillestar Ervis Martinajn, por atentati ndaj tij dështoi, duke çuar më pas në vrasjen e Malkos.
Përplasja mes Leonard Dukës dhe Ervis Martinajt dyshohet se kishte si shkak kryesor kontrollin e aktiviteteve të lojërave të fatit, një konflikt që përfundoi në zinxhir ngjarjesh kriminale dhe viktima.
Vendimi i sotëm i GJKKO-së shënon një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore për krimin e organizuar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse palët e dënuara do të ndjekin rrugët e ankimit.