E rëndë në Fier/ Mësuesi i anglishtes bie nga kati i gjashtë, mbetet i varur në fasadë dhe shpëtohet nga zjarrfikësit, ja gjendja e tij

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në lagjen “Apollonia” në qytetin e Fierit, ku një 55-vjeçar, me profesion mësues i gjuhës angleze, ka rënë nga kati i gjashtë i pallatit ku banonte.

Sipas informacioneve paraprake, 55-vjeçari ndodhej në apartamentin e tij së bashku me bashkëshorten, kur për shkaqe ende të paqarta ka rënë nga lartësia, duke mbetur i varur në pjesën e jashtme të ndërtesës. Situata ka qenë tepër e rrezikshme dhe ka zgjatur për disa minuta, duke alarmuar banorët e zonës.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke bërë të mundur shpëtimin e 55-vjeçarit.

I lënduari është transportuar me urgjencë drejt Urgjencës Kirurgjikale të Spitalit të Fierit, ku po merr ndihmën mjekësore të nevojshme. Burime spitalore bëjnë me dije se ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa gjendja e tij po monitorohet.

Ndërkohë, forcat e Policisë janë paraqitur si në vendngjarje ashtu edhe në ambientet e spitalit, për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të vijuar veprimet hetimore.