Veliaj kallëzim penal në Prokurori: Pretendon falsifikim firme në njoftimin gjyqësor

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar sot një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, të parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.

Kallëzimi lidhet me një dëftesë njoftimi gjyqësore të administruar në dosjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ku figuron një nënshkrim në emër të Erion Veliajt, sikur ai të ishte njoftuar personalisht për një vendim gjyqësor. Sipas Veliajt, firma në dokument nuk është e tij dhe përfaqëson një akt të rremë.

Në kallëzim theksohet se, nga verifikimet zyrtare, rezulton se vendimi i Apelit nuk ka mbërritur asnjëherë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, ku Veliaj ndodhet i paraburgosur. Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht me shkresë nga vetë IEVP Durrës.

Sipas kallëzimit penal, mungesa e plotë e një njoftimi real, e shoqëruar me ekzistencën e një dëftese me nënshkrim jo autentik, përbën provë të drejtpërdrejtë të falsifikimit të aktit të komunikimit. Veliaj pretendon se ky veprim është kryer me qëllim aktivizimin fiktiv të afateve procedurale për ushtrimin e rekursit në Gjykatën e Lartë.

Ai argumenton se një praktikë e tillë cenon rëndë të drejtën kushtetuese për ankim, sigurinë juridike dhe parimin e procesit të rregullt ligjor, duke synuar në mënyrë të drejtpërdrejtë humbjen e së drejtës së rekursit përmes përdorimit të një dokumenti zyrtar të falsifikuar.

Në kallëzim kërkohet:

  • regjistrimi i menjëhershëm i procedimit penal;
  • kryerja e një ekspertize grafike të nënshkrimit;
  • hetimi i të gjithë zinxhirit të personave që kanë hartuar, administruar apo përdorur dokumentin;
  • si dhe verifikimi i çdo vepre tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimeve, përfshirë shpërdorimin e detyrës.

Një kopje e kallëzimit penal i është depozituar edhe Gjykatës së Lartë, si provë se, sipas Veliajt, afatet procedurale për ushtrimin e rekursit nuk kanë filluar kurrë ligjërisht, për shkak të mungesës së një njoftimi të vlefshëm.