Tentativë masive hakerimi ndaj SPAK/ Kompjuteri i Altin Dumanit u sulmua 425 herë, zbardhen detajet: Tre prokurorë përdornin fjalëkalimin “Spak@2019”

Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore për ndërhyrjen në sistemet kompjuterike të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku rezulton se kompjuteri i ish-kreut të institucionit, Altin Dumani, është tentuar të hakërohet plot 425 herë brenda një periudhe dy-mujore.

Sipas emisionit investigativ “Në Shënjestër”, gjatë muajve shkurt–mars të vitit të kaluar, kompjuteri i Dumanit ka qenë objekt i një serie të vazhdueshme sulmesh kibernetike. Në shënjestër të grupit dyshohet se ka qenë gjithashtu edhe drejtuesi aktual i SPAK, Klodian Braho.

Disa ditë më parë, SPAK e kaloi çështjen për gjykim, duke akuzuar ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, si dhe dy persona të tjerë, Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj, për ndërhyrje të paligjshme në sistemet kompjuterike dhe vjedhje të të dhënave sensitive.

Gazetari Xhevair Zhabrina ka zbuluar se hetimet kanë nxjerrë në pah një element shqetësues sigurie: tre prokurorë të SPAK, emailet e të cilëve u komprometuan, përdornin fjalëkalime tejet të thjeshta dhe identike, konkretisht “Spak@2019”.

Ky fakt konfirmohet edhe nga dëshmia e Arnold Rrokajt, i cili gjatë marrjes në pyetje në SPAK ka rrëfyer mënyrën se si arriti të hyjë në llogaritë elektronike të prokurorëve.

“Pasi u hap një email, nga kurioziteti provova edhe dy përdorues të tjerë, të cilët gjithashtu u hapën me fjalëkalimin ‘Spak@2019’. Fillova të shikoja materialet e dërguara dhe të marra, disa prej të cilave i ruajta në celularin tim dhe disa i fshiva,” thuhet në dëshminë e tij.

Sipas hetimeve, përmes këtij hakerimi dyshohet se janë siguruar materiale hetimore tepër sensitive, përfshirë dosje që lidhen me çështje të rëndësishme penale në ngarkim të personave të ndryshëm.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se interesi kryesor i ndërhyrjes ka qenë Agim Ismaili, i cili synonte të zbulonte nëse kishte ndonjë hetim të hapur ndaj eprorit të tij të asaj kohe, ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja.

Çështja konsiderohet një nga skandalet më serioze që lidhet me sigurinë kibernetike të institucioneve të drejtësisë, ndërsa procesi gjyqësor pritet të hedhë dritë mbi përgjegjësitë penale dhe institucionale.