Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u përball natën e së hënës me një ndërprerje të energjisë elektrike që zgjati rreth 40 minuta, duke detyruar stafin mjekësor të ndërmarrë masa emergjente për garantimin e sigurisë së pacientëve.
Lidhur me ngjarjen, shefi i Reanimacionit në QSUT, profesor Krenar Lilaj, doli në një deklaratë për mediat, ku theksoi se asnjë pacient i intubuar nuk ka pasur rrezik për jetën. Sipas tij, situata u menaxhua përmes transferimit të pacientëve në pavione të tjera dhe përdorimit të pajisjeve rezervë.
Profesor Lilaj sqaroi gjithashtu se vdekja e të dënuarit Mihal Mërkuri nuk ka asnjë lidhje me ndërprerjen e energjisë elektrike. Ai bëri të ditur se pacienti ndodhej në gjendje shumë të rëndë shëndetësore që në momentin e shtrimit në spital dhe ishte nën trajtim kirurgjikal për cirrozë.
“Saktësisht, i sëmuri u nda nga jeta në orën 04:33 minuta, ndërkohë që furnizimi me energji elektrike u rikthye në orën 21:42. Gjendja e tij ishte e rëndë që në ardhje dhe e dokumentuar plotësisht në kartelën mjekësore,” deklaroi Lilaj.
Ai theksoi se në Reanimacion ndodheshin nëntë pacientë në ventilacion mekanik dhe se vendimi për transferimin e tyre u mor për të shmangur çdo rrezik të mundshëm nga rënia e njëkohshme e funksionimit të pajisjeve, në rast se do të shteronin burimet rezervë të energjisë.
“Pajisjet ‘back-up’ kanë kapacitet për disa orë funksionim, por vendimi për transferim u mor për të garantuar sigurinë maksimale të pacientëve. Stafi është i trajnuar për të përballuar situata të tilla emergjente,” shtoi ai.
Profesor Lilaj kujtoi se incidente të ngjashme me ndërprerje të energjisë kanë ndodhur edhe në të kaluarën dhe janë menaxhuar me sukses, duke nënvizuar se edhe këtë herë nuk pati asnjë humbje jete si pasojë e mungesës së energjisë.
“Detyra jonë si mjekë është të mbrojmë jetën e pacientëve në çdo rrethanë. Edhe në kushte të vështira, shërbimi ynë është i përgatitur të garantojë vazhdimësinë e trajtimit dhe sigurinë e të sëmurëve,” përfundoi ai.