Konflikt për shpejtësinë kthehet në tragjedi/ 28-vjeçari vret me çekiç 57-vjeçarin në aksin Fushë Krujë–Mamurras: “Situata më doli jashtë kontrollit”

Një konflikt i çastit në rrugë është shndërruar në një ngjarje tragjike gjatë orëve të para të mëngjesit në aksin Fushë Krujë–Mamurras, ku një 57-vjeçar ka humbur jetën pas një sherri të dhunshëm.

Sipas informacioneve paraprake, viktima Petrit Ndou dhe 28-vjeçari Andi Vokri janë përfshirë fillimisht në një debat për shkak të shpejtësisë së lëvizjes dhe një gërvishtjeje të lehtë në automjet. Konflikti verbal ka degraduar shpejt në përplasje fizike, mes sharjesh dhe ofendimesh.

Në kulmin e sherrit, dyshohet se Andi Vokri ka marrë një çekiç dhe e ka goditur disa herë 57-vjeçarin, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendngjarje.

I arrestuar nga policia, 28-vjeçari ka dhënë dëshminë e tij në komisariat, ku ka pranuar ngjarjen, por ka deklaruar se nuk kishte qëllim vrasjen.

“Nuk doja ta vrisja. Ishte një konflikt i çastit dhe situata më doli jashtë kontrollit,” ka thënë ai para hetuesve.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa ndaj autorit pritet të ngrihen akuzat për vrasje. Trupi i viktimës është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, ndërsa arma e krimit është sekuestruar.