Ekzekutimi i Jani Aliajt në burgun e Koridhalosit/ “Xheku” kishte status mbrojtjeje, si i shpëtoi një atentati 6 muaj më parë

Detaje të reja vijojnë të dalin në dritë lidhur me ekzekutimin e Jani Aliajt, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në burgun e Koridhalosit, në Greqi. Mediat greke raportojnë se 49-vjeçari, i njohur ndryshe me nofkën “Xheku”, kishte status mbrojtjeje, pasi vetëm gjashtë muaj më parë i ishte bërë një tjetër atentat brenda të njëjtit institucion penitenciar.

Sipas raportimeve, Aliaj ishte konsideruar një i burgosur me rrezik të lartë, për shkak se ndodhej vazhdimisht në shënjestër të rivalëve të tij. Për këtë arsye, ai kishte qëndruar për një periudhë edhe në të njëjtën qeli me një ish-punonjës policie, i arrestuar për vepra penale që lidhen me drogën.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 janar 2026, brenda Krahut të 3-të të burgut të Koridhalosit, institucionit më të madh penitenciar në Greqi. Jani Aliaj u ekzekutua nga një 28-vjeçar grek, gjithashtu i burgosur, i cili e goditi për vdekje me një thikë të improvizuar.

Autoritetet greke dyshojnë se kemi të bëjmë me një vrasje të porositur, ndërsa hetimet po kryhen nga strukturat e Sigurisë së Pireut. Si viktima, ashtu edhe autori, rezultojnë me një të kaluar të rëndë kriminale.

E kaluara kriminale e viktimës

Jani Aliaj, me origjinë nga Tepelena, ndodhej i arrestuar në Greqi që prej 31 dhjetorit 2024. Ai ishte dënuar në Shqipëri me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços në vitin 2016 në Tiranë, ngjarje që kishte ardhur si pasojë e një konflikti të vjetër mes tyre dhe që përfundoi në hakmarrje fatale.

Po ashtu, Aliaj ishte i përfshirë edhe në një ngjarje tjetër kriminale në vitin 2015 në Përmet, ku një tentativë për vjedhjen e një sasie të madhe marijuane përfundoi me persona të plagosur.

Pistat e hetimit

Sipas mediave greke, konfliktet për trafikun e drogës, pazaret kriminale dhe lufta për territor janë pistat kryesore që po hetohen si motiv i kësaj vrasjeje. Megjithatë, autoritetet nuk përjashtojnë as hakmarrjen personale, duke pasur parasysh aktivitetin e gjerë kriminal të viktimës ndër vite.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar nëse ekzekutimi i Jani Aliajt ishte pjesë e një skenari më të gjerë kriminal brenda dhe jashtë mureve të burgut.