Shqiptarët kanë treguar edhe një herë solidaritet të jashtëzakonshëm, duke arritur të mbledhin brenda një kohe rekord rreth 200 mijë euro për operacionin dhe rikuperimin e modeles dhe influenceres së njohur, Dajana Kalo.
25-vjeçarja ndodhet e shtruar prej 29 dhjetorit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), pasi ka pësuar një hemorragji cerebrale. Motra e saj, Bora Kalo, ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e Dajanës është shkaktuar nga Malformacioni Arteriovenoz (AVM), një sëmundje serioze dhe kërcënuese për jetën, ku enët e gjakut në tru janë të formuara në mënyrë jonormale dhe mund të çahen pa paralajmërim.
Apeli i familjes ka marrë një reagim të menjëhershëm. Me mijëra qytetarë, por edhe figura të njohura të ekranit dhe estradës shqiptare, i janë përgjigjur thirrjes për ndihmë, duke kontribuar financiarisht. Brenda pak orësh, shuma e nevojshme për ndërhyrjen dhe fazën e parë të rikuperimit ka arritur pothuajse në totalin e kërkuar prej 200 mijë eurosh.
Sipas familjarëve, Dajana aktualisht nuk është në gjendje të ecë dhe nuk lëviz anën e djathtë të trupit, përfshirë dorën dhe këmbën. Për shkak të gjendjes së saj, ajo nuk do të jetë në gjendje të punojë për një periudhë të gjatë kohore. Motra e saj, Bora, ka bërë të ditur se edhe ajo është detyruar të ndërpresë punën për t’u kujdesur për Dajanën.
Familja kishte kërkuar ndihmën e publikut pasi nuk kishte mundësi financiare për të përballuar koston e operacionit të vështirë dhe procesin e gjatë të rikuperimit. Çdo donacion, pavarësisht shumës, u konsiderua jetik – dhe përgjigjja e shqiptarëve ishte më shumë se domethënëse.
Ndërkohë, burime pranë QSUT bëjnë me dije se 25-vjeçarja ndodhet në pavijonin e neurokirurgjisë, ku ende nuk është kryer ndërhyrja kirurgjikale. Mjekët po presin realizimin e ekzaminimit Arteriografi (DSA), i cili është i domosdoshëm për të vendosur mbi trajtimin e mëtejshëm, përfshirë edhe mundësinë e trombektomisë.
