Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pritet të shpallë më 21 janar vendimin për çështjen penale ndaj Leonard Dukës, për të cilin SPAK ka kërkuar dënimin me 32 vite burg.
Gjatë seancës përfundimtare, avokatja mbrojtëse e Dukës, Melina Gjeta, e cilësoi kërkesën e SPAK si të pabazuar në ligj, duke argumentuar se dosja hetimore, sipas saj, përmban elemente të një procesi të paplotë dhe mbështetet kryesisht në burime mediatike. Ajo kundërshtoi edhe motivin e pretenduar të vrasjes, duke theksuar se dy plagosjet që dyshohet se lidhen me viktimën janë ende pa autor dhe se prokuroria nuk mund të përcaktojë autorësi pa u zbardhur plotësisht pista nga organet kompetente.
Avokatja Gjeta vuri gjithashtu në dyshim dëshminë e Blendi Tetës, duke deklaruar se ai ka pohuar para gjykatës se është kërcënuar dhe vënë nën presion nga efektivë të policisë. Sipas mbrojtjes, këto rrethana përbëjnë shkelje të rënda ligjore dhe e bëjnë dëshminë të pavlefshme.
Gjatë seancës u kundërshtua edhe përdorimi i transkripteve të aplikacionit Sky, të cilat mbrojtja i cilësoi si prova të paligjshme që cenojnë lirinë dhe fshehtësinë e korrespondencës. Sipas saj, përgjimet e kryera nga autoritetet franceze kanë qenë masive dhe jo të orientuara. Nga ana e tij, Leonard Duka deklaroi para trupit gjykues se nuk ka përdorur aplikacionin Sky.
Në seancë u dëgjua edhe nëna e viktimës, Santiago Malko, e cila deklaroi se Leonard Duka është përgjegjës për vrasjen e djalit të saj dhe kërkoi dënimin maksimal për të akuzuarin. “Leonard Duka më ka vrarë djalin. Më solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe më tha se nuk kishte gjë me Santin, por doli dhe ma vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje,” u shpreh ajo para gjykatës.
Si ndodhi ngjarja
Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, teksa ndodhej në automjetin e tij tip “BMW X5”. I skeduar për disa ngjarje kriminale, Malko kishte ushtruar më herët edhe funksione në administratën shtetërore.
Për vrasjen e tij, prokuroria ka akuzuar tetë persona, ku në krye të grupit dyshohet se qëndrojnë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Sipas SPAK, grupi përbëhet nga Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. Vendimi përfundimtar pritet të shpallet më 21 janar.