Autori i vrasjes së 49-vjeçarit Jani Aliaj në burgun grek të Koridhalos rezulton të jetë një 28-vjeçar grek, i njohur nga autoritetet si vrasës me pagesë. Burime nga policia greke bëjnë me dije se bëhet fjalë për të njëjtin person që më 18 gusht 2025 ekzekutoi 47-vjeçarin nga Gjirokastra, Artur Bashimi.
Ngjarja e asaj kohe ndodhi në zonën e Agio Pantaleimonas, ku Bashimi u vra me armë zjarri. Viktima, një ish-i dënuar për vjedhje, dyshohet se u ekzekutua si akt hakmarrjeje për vëllanë e tij, Marsel Bashimi, i cili rezulton i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale në Greqi. Në një prej rasteve, ai dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Komisar Artan Cukut.
Sipas hetimeve paraprake, policia greke dyshon se edhe vrasja e Jani Aliajt brenda burgut të Koridhalos është porositur nga jashtë institucionit penitenciar dhe është kryer kundrejt pagesës. Hetimet vijojnë për të identifikuar porositësit dhe për të zbardhur plotësisht rrjetin kriminal të përfshirë në këto ngjarje të rënda.