Ekzekutohet në burgun e Koridhalos Jani Aliaj, autori i vrasjes së Elton Çiços në Shqipëri

Jani Aliaj, një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare për vrasje, është ekzekutuar sot brenda burgut grek të Koridhalos. Ngjarja ka ndodhur në sektorin 3 të institucionit të vuajtjes së dënimit, ku 49-vjeçari nga Tepelena u godit për vdekje me thikë nga një i burgosur grek.

Sipas autoriteteve greke, autori i dyshuar i vrasjes është gjithashtu i dënuar për vrasje. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke mos përjashtuar pistën e një vrasjeje me pagesë.

Aliaj ndodhej në paraburgim në Greqi që prej 31 dhjetorit 2024 dhe ishte në proces ekstradimi drejt Shqipërisë. Ai rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços, ngjarje e ndodhur më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Po ashtu, ai kërkohej edhe për një tjetër ngjarje kriminale të vitit 2015 në Përmet, ku gjatë një tentative për vjedhjen e një sasie të madhe marijuane mbetën persona të plagosur, çështje për të cilën akuzohej për tre vepra penale.

Në Greqi, Jani Aliaj ishte në kërkim pasi ishte arratisur nga burgu i Korfuzit, ku vuante një dënim të rëndë me burgim të përjetshëm, si dhe 2 vite e 12 muaj shtesë për vrasjen e një shtetasi shqiptar, plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ngjarje të ndodhura në Athinë në vitin 2006. Në momentin e arrestimit të fundit, ai përdorte identitetin e rremë Aleksan Kreshnik.

Autoritetet greke dhe shqiptare pritet të bashkëpunojnë për hetime të mëtejshme lidhur me ekzekutimin e tij brenda burgut, ndërsa ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë në institucionet penitenciare greke.